Përse Shqipëria e Panuçit nuk reagoi si ajo e De Biazit pas Luksemburgut?

Do të duhej të kishte qenë ndeshje tjetër në krahasim me Kosovën. U premtua nga Kristian Panuçi, ndoshta edhe u tentua, por realiteti ishte krejt tjetër. Në përfundim të leksionit të marrë nga Ukraina, trajneri u përpoq të sqarohej, por nuk e lanë të përfundonte.

Trajneri u largua nga intervista pas ndeshjes, ndërsa nuk dihet nëse do të rezistojë në detyrë, pas kryengritjejes së tifozëve. “Zjarri padyshim që ishte i shuar dhe unë nuk arrita që ta ndez, – tha ai, – Kemi bërë dy figura shumë të këqija në këto ndeshje. Skuadra nuk ishte në kushtet e duhura për të luajtur. Nuk luftuam, nuk bëmë gjërat që duhej të bënim sepse lojtarët ishin absolutisht jashtë forme. Pastaj (dëgjohen vërshëllimat e tifozëve), nuk mund të punohet kështu, po iki”.

A thua kombëtarja është e tillë që nuk të jep shpresë se mund të dalë qoftë edhe nga një krizë e thellë? Le të mos lodhemi shumë e të kthehemi vetëm 1 vit prapa, kur ekipi përfaqësues turpërohej nga Luksemburgu, sërish në një miqësore. Gjithsesi, kaloi 1 javë, dhe në një sfidë shumë më të vështirë, atë në Izrael për eleminatoret e Botërorit, Shqipëria e drejtuar nga Xhani De Biazi, pati një reagim të mrekullueshëm.

Ja sesi u shpreh trajneri italian pas suksesit 3-0, ndërsa jepte dorëheqjen. “Humbja me Luksemburgun më shqetësoi shumë, – tha ai, – ishte humbje ndaj një ekipi padyshim më të dobët sesa ne, ndaj edhe në ato pak ditë që mbeteshin në dispozicion u përpoqa të ndryshoja situatën. Ishte shumë i zemëruar, bërtita me zë të lartë dhe godita tavolinën me grusht, në mënyrë që t’i bëja lojtarët që të zgjoheshin, për fat, ia dola”.

Veterani i stolit po ashtu bëri një analizë, e cila duhet të jetë e shkruar me germa të mëdha për të mos u harruar, as nga futbollistët, as nga Federata, dhe as nga ata që ulen në stol: “Luksemburgu luajti me zemër, ndonëse ka cilësi më të pakta se ne, luajti ashtu siç Shqipëria luajti për dy vjet, dhe prandaj shkoi në Europian”. Një vit më vonë, kombëtarja sërish e harroi këtë porosi, ndaj edhe mbërriti deri këtu.

Sfidanti.al