Mesi e festoi siç duhet ndeshjen numër 700, gol dhe dy asiste!

I mbushi rrumbullak me fanelën katalanase. Lionel Mesi dhe Barcelona janë një dyshe e pandarë (deri tani), dhe argjentinasi e festoi mrekullisht ndeshjen numër 700 me skuadrën e zemrës. Qëlloi të ishte ndaj Dortmundit, një sfidë vendimtare në Champions, që u fitua dhe vendasit siguruan kualifikimin dhe vendin e parë, një javë para fundit. Kapiteni ishte në lartësinë e detyrës duke shënuar gol e duke dhënë dy asiste për shokët. Luis Suarez dhe Antuan Grizman realizuan pas pasimeve të tij.

Mesi ka shënuar 613 gola në 700 ndeshje me bluzën “blaugrana”, ndërsa në Champions ka 114 rrjeta në 140 takime. Ai nuk ndodhet shumë larg rekordmenit të Ligës së Kampionëve, Kristiano Ronaldos, që ka 128 gola në 173 takime të luajtura. Me mesatare, argjentinasi është më mirë, dhe shpreson ta mbërrijë edhe për numrin e realizimeve. Një garë e ethshme po bëhet mes numrit 10 dhe CR7-ës për numrin total të golave në karrierë. Kristiano ka 706 gola deri tani, nga të cilat 99 në kombëtare. Mesi ka 683 gola, pra 23 më pak sesa portugezi, ndërsa ka luajtur shumë më pak ndeshje se ai, 833 ndaj 985 të Ronaldos.

Sfidanti.al