Shënoi një tjetër gol, një nga të rrallët për të, ndonëse kontributin e ka më të madh se kaq. Ledian Memushaj nuk e udhëhoqi dot drejt fitores Peskarën, që barazoi 1-1 në fushën e saj me Frozinonen, ndonëse mesfushori i kombëtares shqiptare e kaloi në epërsi në 45’. Vlonjati vazhdon një sezon mjaft të mirë, në të cilin ka shënuar 4 gola (jo, specialiteti i tij), por ka dhënë 9 pasime për gol, duke qenë një nga më të mirët në këtë element në Serinë B. Po ashtu, ai ka krijuar 9 raste për gol, sërish një nga më të mirët, ka ekzekutuar 105 goditje nga këndi (ndër kryesorët në ligë) dhe ka ndihmuar ekipin me krosime të shumta.
Ndihma e shqiptarit 33-vjeçar nuk ka vlejtur më shumë sesa thjesht për të mbetur në Serinë B. Peskara ka rrëshqitur në vendin e 15-të të renditjes me 20 ekipe, me 42 pikë, 5 pikë larg vendit të tretë nga fundi. Në fillim të sezonit u mendua se skuadra e Memushajt do të pretendonte, por ndodhi e kundërta, pasi Benevento (80 pikë), Krotone (62), Specia (56) apo Pordenone (55) u shkëputën.
Sfidanti.al