Mbreti i Holandës tallet me çmimin për paqen për Trump

Mbreti i Holandës, Willem-Alexander, ndoqi të shtunën së bashku me bashkëshorten, Mbretëreshën Máxima, dhe princeshën Ariane, një nga tri vajzat e çiftit, ndeshjen e Botërorit mes Holandës dhe Suedisë, të fituar bindshëm 5-1 nga Malen dhe shokët e tij. Në tribunë, sovrani ishte ulur, natyrisht si i ftuar nderi, pranë presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino. Pas ndeshjes, ai bëri me një buzëqeshje të lehtë një batutë pikërisht për Infantinon, duke ironizuar hapur mbi çmimin qesharak për paqen, të krijuar nga FIFA disa muaj më parë vetëm për t’ia dhënë mikut të Giannit, Donald Trump, për ta “kompensuar” për mosdhënien, e përjetuar shumë keq nga vetë Donald, të Nobelit të vërtetë për Paqen, që për vitin 2025 iu dha aktivistes dhe politikanes venezueliane María Corina Machado.

“Mund t’i kem sugjeruar Infantinos disa emra për çmimin e paqes të viteve të ardhshme”, tha duke qeshur për televizionin e vendit të tij Mbreti Willem-Alexander, duke e vënë në lojë gjithë çështjen. “Jam këtu me ftesë të FIFA-s dhe, nëse Infantino është i pranishëm, ulesh pranë zotit të shtëpisë”, vijoi sovrani holandez, fjalët e mëvonshme të të cilit e theksuan më tej qëndrimin kritik ndaj politikës së Trumpit. Larg qoftë një çmim special për paqen…”