Përse kaq pak gola ky Botëror? Dhe përse këtë e bën edhe një skuadër e mbushur stërplot me talente si Franca? Me Grizman, Zhiru, Mbape e Pogba në formacion, dhe me Dembelenë, pritej që formacioni europian të bënte namin, por ai bëri pak. Jo se i munguan rastet, por loja në fushë nuk iu përgjigj parashikimeve dhe as pretendimeve të yjeve të saj tepër të vlerësuar.
Fitorja dhe kualifikimi u zgjidh vetëm me një gol të 19-vjeçarit Kilian Mbape, me yllin e Paris SG, që u bë shënuesi më i ri i Francës në historinë e kupave të botës. Më parë, ky rekord i takonte David Trezegesë. Skuadra e trajnerit Deshamp pati edhe fatin me vete, kur portieri Joris e shpëtoi pikërisht përpara sesa të kalonte në avantazh. Kapiteni luajti ndeshjen numër 100, dhe u paraqit në mënyrë të panjollë.
Franca humbi disa raste, duke luajtur më mirë sesa në sfidën e parë ndaj Australisë. Kjo edhe falë lojës më të hapur të peruvianëve, të cilët pranuan të rrezikonin në kërkim të fitores. Edhe amerikanolatinët i patën disa raste, aq sa mund të krijonte një ekip shumë më modest sesa francezët, por nuk patën as qetësinë dhe as klasin për të konkretizuar.
Nga Franca, ndërkaq, pritet më shumë se kaq, si skuadra ndoshta më e talentuar e Botërorit. Kualifikimi vërtet u arrit, por vetëm dy gola të shënuar në dy ndeshje janë shumë pak. Në renditje, francezët kryesojnë me 6 pikë në dy ndeshje, ndjekur nga Danimarka me 4, Australia me 1 dhe Peruja e eleminuar me zero pikë.
Sfidanti.al