Mavraj synon sërish Bundesligën në moshën 34-vjeçare

Me Grojter Fyrtin kaloi një sezon të bukur, por edhe mjaft të vështirë. Mërgim Mavraj u ngjit në Bundesligën gjermane, aty ku ka luajtur edhe më parë pikërisht me Fyrtin, por shpesh u detyrua t’i shikonte shokët nga televizori ose nga tribuna për shkak të dëmtimeve. Mbrojtësi i qendrës, që shkëlqeu me 50 ndeshje e 3 gola për kombëtaren shqiptare, humbi 12 ndeshje për shkak të lëndimeve të ndryshme, ndërsa u la vetëm dy herë në stol. Kur ai ishte në gjendje për të luajtur, trajneri Stefan Lajtl e aktivizoi vazhdimisht si titullar, dhe në shumicën e herëve nga 90 minuta. Kjo tregon se, edhe pse 34 vjeç, shqiptari nga Kosova mund të luajë në nivele të rëndësishme, besohet edhe në Bundesligën gjermane. Atij i përfundon kontrata këtë verë dhe pret që klubi t’ia rinovojë qoftë edhe me një vit. Fyrti e njeh mirë Mavrajn, që ka luajtur 8 sezone në Bundesligë, fillimisht me Bohumin e pastaj me Grojterin, ndërsa mediat shkruajnë se skuadra ka nevojë për t’u përforcuar në mbrojtje, pra padiskutim duhet të mbajë edhe lojtarët që ka.

Sfidanti.al