Mateusi, këshillë Favresë: Ndaj Bajernit duhet të luash në sulm!

Nëse trajneri zviceran dëshiron t’i japë fund mallkimit që po e ndjek kundër bavarezëve, atëherë ndoshta do t’i bënte punë të dëgjonte këshillën e Lotar Mateusit. Ish-kapiteni i Bajernit dhe i Gjermanisë, sot në rolin e analistit, thotë se Lysien Favre nuk mund të lerë në stol lojtarë si Xhejdën Sanço, dhe se kundër kampionëve në fuqi duhet të luajë në sulm. “Nuk duhet t’i lejojë vetes që Sançon ta aktivizojë në pjesën e dytë, – thotë Mateusi, – duhet të luajë në sulm që t’ia dalë ndaj Bajernit. Favre është trajner i madh, dhe Dortmundi nuk është ende në nivelin e Bajernit, por kjo ndeshje është e rëndësishme dhe mund të fitohet”. Mateusi thotë se bavarezët mbeten më të mirët në botë, por kanë dobësi siç e tregon numri i lartë i golave të pësuar. “Dortmundi, – gjykon ai, – është përmirësuar në mbrojtje dhe ka shpresë ta përballojë Bajernin, ndërsa me lojtarët sulmues si Halandi apo Sanço mund ta godasë në mbrojtje”.

Sfidanti.al