Sot nuk e kanë më, dhe Interi shpreson të përfitojë prej tij, por ishte një kohë e gjatë që Romelu Lukaku luajti në Premier Ligë. Sulmuesi i Çelsit, Evertonit dhe Mançester Junajtidit nuk e mori sa duhet vlerësimin për cilësitë e tij, të paktën kështu mendon trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez. “Romelu nuk u vlerësua sa duhet në futbollin britanik dhe arsyeja ishte e thjeshtë, atij i thuhej se nuk ishte një numër 9 tipik, – u shpreh Martinezi, – të gjithë i thoshin se duhej ta kontrollonte më mirë topin e parë, të krijonte më shumë hapësira, të luante më mirë me kokë, por të gjithë harronin se ai shënon shumë gola. Mjaft të shihni statistikat”.
Martinez e kupton dëshpërimin e Lukakut, pas kritikave, sepse nëse të kritikojnë kaq shumë e humb besimin në vetvete, dhe nuk mendon se je një lojtar i mirë. Antonio Konte duket se i ka dhënë mbështetje të pakufizuar sulmuesit të tij të ri, duke e marrë ashtu siç është, dhe kjo mund ta ndihmojë shumë Lukakun dhe Interin.
Sfidanti.al