Është një trajner fatlum, por edhe shumë i mirë. Italia mund të mbështetet tek një Roberto Mançini me përvojë dhe klas, një teknik që e ka mësuar profesionin shumë mirë tek Lacio, Interi dhe Mançester Siti, duke fituar tituj e sidomos duke mësuar të krijojë lojë të bukur. Ndaj Austrisë në Euro 2020 nuk ishte më e bukura ndër ndeshjet e të Kaltërve, por erdhi sërish një fitore, e katërta radhazi në kampionat, ndonëse më në fund u pësua një gol.
“Mendoj se e merituam fitoren, – tha Mançini më pas, – e arritëm sepse e merituam, por sa për golin, një ditë do ta pësonim. Nuk ka asnjë problem. Në pjesën e parë mund të shënonim 2 gola, ndërsa pas pushimit pati rënie fizike, fusha ishte e vështirë. E fituam falë lojtarëve që hynë si zëvendësues me mentalitetin e duhur. Kishim nevojë për lojtarë të freskët. E dija se do të kishte qenë një ndeshje e vështirë, madje edhe më shumë sesa ajo që vjen më pas”.
Sfidanti.al