Merkato në Britaninë e Madhe është ndezur ditën e sotme me disa transferime të bujshme mes të cilëve edhe një nga kampionët në fuqi të Manchester City. Klubi këtë të premte konfirmoi blerjen e Matheus Nunes nga Wolverhampton.
Futbollisti i Kombëtares portugeze ka nënshkruar kontratë 5-vjeçare me kampionët në fuqi të Premier League-s, ku gjen bashkëkombësit e tij Rúben Dias dhe Bernardo Silva. Detajet financiare nuk bëhen të ditura, por mendohet se kartoni i futbollistit ka kushtuar rreth 60 milionë euro. Matheus Nunes është nënshkrimi i katërt në këtë merkato, pas kroatëve Mateo Kovacic dhe Josko Gvardiol, si dhe anësorit belg Jeremy Doku. Matheus Nunes do të veshë fanellën me numrin 27.