Manaj ndjek Sadikun dhe kënaq Edi Rejën, vazhdojnë golat në Spanjë!

Nuk e la vetëm Armando Sadikun. Rej Manaj tregoi edhe një herë se është rikthyer, duke qenë vendimtar për skuadrën e tij, Albaseten, në kategorinë e dytë të Spanjës. Një tjetër gol i sulmuesit të kombëtares shqiptare, i dyti në vetëm pak ditë, siguroi suksesin 1-0 në fushën e Alkorkonit.

E vërteta ishte që sulmuesi 22-vjeçar nuk ishte llogaritur titullar nga trajneri i tij, Ramis, por një dëmtim bëri që të aktivizohej shumë shpejt. Futbollistit me origjinë nga Lushnja iu dha mundësia në pjesën e dytë, kur Albasete fitoi penallti, dhe ai mori përsipër ta gjuante duke mos gabuar.

“Me rëndësi është fakti që goli im siguroi fitoren e skuadrës, – tha Manaj më pas, – luajtëm në një fushë të vështirë, por mendoj se luajtëm mirë që të gjithë dhe bëmë ndeshjen që duhej. Përsa i përket penalltisë, trajneri më ka caktuar mua dhe Susaetën, ndoshta herën tjetër e gjuan ai. Të dielën shkoj në grumbullim me kombëtaren, pasi kemi dy ndeshje të rëndësishme, e para ndaj Turqisë, që besoj se do të jetë vërtet e rëndësishme për të hyrë në Euro 2020”.

Pak ditë më parë, Manaj shënoi golin e vetëm të ekipit të tij, në fitoren 1-0 në fushën e Malagës, në derbin me Sadikun e Keidi Baren. Albasete po tregohet shumë cinike këtë sezon, pasi me vetëm 7 gola të shënuar ka plot 16 pikë në 10 ndeshje të luajtura. Në Itali, ndërkaq, mediat shkruajnë se Interi mbetet i interesuar për Manajn, dhe se ka mundësi që t’ia blejë kartonin sërish. Albasete e mori shqiptarin pasi pagoi 2.5 milionë euro për kartonin, por kontrata ka klauzolë për rikthimin në Milano, ndonëse nuk dihet për çfarë shume.

Njëzetedyvjeçari është bërë i rëndësishëm edhe në ekipin përfaqësues, ku trajneri Edi Reja e ka rikthyer dhe madje e ka aktivizuar edhe titullar, siç ndodhi ndaj Islandës, në eleminatoret e Euro 2020-ës.

Sfidanti.al