Në vitin 1952, në Shkodër u ndërtua një stadium për Vllazninë, ndërsa tani po i njëjti ambjent u rikonstruktua dhe në fakt mori një tjetër pamje, por i takon gjithnjë e më pak Shkodrës. Fakti është, se kudo ku ka ndërhyrë Federata në stadiume, investimi nuk konsiderohet si shpërblim për komunitetin vendas, por thjeshtë reklamë për institucionin që e ka humbur fare etikën, madje i ka dhënë vetes kudo atributet e pronarit.
Në Elbasan i ndërruan menjëherë emrin impiantit dhe i emëruan një drejtor nga Tirana. Në Shkodër nuk mundën ta quanin diçka me Arena, por po mundohen t’i japin sa më pak akses vendasve për ta shfrytëzuar. Dyert e “Loro Boriçit” hapen dhe mbyllen me urdhër nga kryeqyteti, sa herë që shefat e shohin të arsyeshme dhe Vllaznia është e detyruar të trasferohet shpesh në periferi, në një fushë të papërshtatshme. Por edhe kur kthehet në “shtëpinë” e vet, çelësat i kanë të tjerat.
Drejtori i Akademisë së klubit, Alban Hasani, thotë se jemi bërë si “kollovarë”, duke kujtuar se në ndeshjen kundër Partizanit, nuk kishte as bejxhe për figurat e futbollit vendas, që në fakt nuk janë vetëm të Shkodrës. Madje, pikërisht ata që i kanë dhënë kuptim këtij stadium ndër vite, u trajtuan pa respekt, duke i lënë jashtë ambjenteve. Ndoshta më mirë do të ishte të mbetej ambjenti i vjetër, se sa ky i tanishmi, ku të ardhurit nga FSHF sillen vazhdimisht si pushtues.