Nr.1 i gjigantit gjerman të Bajernit të Mynihut, Uli Hënes, i ka dërguar, këto ditë, një këshillë miqësore mikut të tij të mirë, Bastian Shvainshtajger, që, momentalisht, po “vuan” te Mançester Junajtidi. Mesfushori gjerman me përvojë, që nga viti 2015, është pjesë e Premier Ligës angleze, por, në këtë sezon, ai ndodhet në një situatë mjaft të vështirë dhe nuk ka luajtur as edhe një ndeshje me ekipin nën drejtimin e Zhoze Murinjos, kështu që Shvajni, mund të thuhet, se “është ngrirë” nga trajneri portugez, për më tepër që ai stërvitet edhe me ekipet e dyta të Mançesterit.
Kështu që Uli Hënesi nuk është aspak i kënaqur nga trajtimi që po i bëhet bashkatdhetarit të tij në Angli dhe rekomandon: “Po të isha në vendin e tij, do t’i detyroja njerëzit kryesorë të Junajtidit që të më paguanin deri në ditën e fundit. Ai e meriton këtë, pas asaj që i kanë barë atij. Ata duhet të ndëshkohen”, thotë Hënesi, duke shtuar më poshtë: “Mesa kam dëgjuar, Basti, gradualisht, po e lë futbollin. Nuk mendoj se, tani, ai ka ndonjë entuziazëm të madh brenda vetës. Pas një karriere kaq brilante, mendoj se ai nuk duhet të shkojë në SHBA. Kam dëgjuar se ai do të zhvillojë një ndeshje lamtumire me Bajernin. Ai ka fat që ka një grua kaq të bukur, kështu që ai, tani, duhet të ketë prioritete të tjerë në jetë. Do të uroja që ai, tani, të përqendrohet te krijimi i familjes”, thotë Uli Hënes.
Sfidanti.al