Reali i Madridit, nën drejtimin e “shkopit të dirigjentit” Hulen Lopetegi ka arritur që të ndryshojë aq shumë, saqë ai nuk ngjason më me Realin kampion të Evropës. Në katër ndeshjet e fundit në La Ligën spanjolle, ai ka shënuar tri humbje dhe një barazim, ndërkohë që kriza në klubin “mbretëror” u thellua edhe më shumë mbas humbjes 1-2 ndaj Levantes në “Bernabe”, por, sidoqoftë, të paktën “galaktikasit” arritën të shënonin një gol, pasi nuk kishin arritur të shënonin as në ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër CSKA-së së Moskës në fillim të këtij muaji. Golin e fundit “mbretërorët” e kishin shënuar më 22 shtator në ndeshjen e raundit të 5-të të La Ligës kundër Espanjolit, të cilin Reali e mundi 1-0 me gol të Asensios.
Duke pasur parasysh se pjesa e parë e ndeshjes me Levanten përfundoi pa gol të Realit, ky ekip i drejtuar nga Lopetegi theu një rekord negativ të këtij klubi: më shumë se 465 minuta pa shënuar gola, gjë që Realit nuk i ka ndodhur gjatë të gjithë historisë së tij të gjatë 116-vjeçare! Që kjo seri e zezë e Realit të ndërpritej, u kujdes Marselo që shënoi gol në min. e 72-të në ndeshjen kundër Levantes.
Sfidanti.al