Leo, kalove Gerd Mylerin dhe je golshënuesi më i mirë i Europës

Gerd Myleri kishte shënuar 525 gola për Bajernin në të gjitha kompeticionet dhe ishte ai golshënuesi më i mirë në të pesë ligat kryesore të Europës. Kjo deri ditën e djeshme. Lionel Mesi, që e kishte barazuar “Bomberin e Kombit”, e kaloi me rrjetën e shënuar me penallti në “El Klasiko”, duke arritur në shifrën 526 për një klub të vetëm, Barcelonën. Asnjë tjetër nuk është si ai, dhe do të duhet një tjetër Gerd Myler dhe një tjetër Lionel Mesi që këto rekorde të thyhen. Ka vetëm diçka që e mban Mylerin mbi “Pleshtin”, fakti që gjermani shënoi 525 gola në 572 ndeshje, ndërsa argjentinasit iu deshën 608.

Kristiano Ronaldo, për momentin, ka më shumë gola sesa Mesi (është 1 vit e gjysmë më i madh në moshë), por i ka të ndarë mes Mançester Junajtidit dhe Realit. CR7-ta, në të vërtetë, nuk është shumë përpara Leos, pasi ka 545 rrjeta me klubet, ndaj 526 të argjentinasit.

Mesi po ashtu fitoi duelin e golit me Kristiano Ronaldon për 2017-ën, me 54 rrjeta ndaj 53, duke lënë pas Levandovskin po me 53 dhe Edinson Kavanin me 52, veçse ka edhe një rival që mund ta kalojë. Ky është sulmuesi i Totenhemit, Harri Kejn që realizoi tri herë në ndeshjen e djeshme të Premier Ligës duke arritur në 53 gola. Kejn ka edhe një ndeshje në dispozicion deri në fund të vitit.

Sfidanti.al