Ishte një ndeshje rivalësh, por vetëm përsa i përket klasifikimit. Totenhemi nuk e pati problem të fitonte 3-0 në fushën e Bërnlit, dhe ta linte prapa në renditje, ashtu si edhe Arsenalin, duke u ngjitur në vend të pestë, veçse më shumë ran ë sy “xhevahiri” Harri Kejn. Sulmuesi më i mirë i Premier Ligës (së bashku me Mohamed Salahun) shënoi të tre golat për “gjelat” duke barazuar një rekord dhe duke iu afruar dy sukseseve të mëdhenj për vitin 2017.
Kejn arriti në 36 gola në Premier Ligë gjatë një viti kalendarik, pra gjatë 2017-ës, diçka që më parë e kishte arritur vetëm një legjendë si Alen Shirer. Ai ka edhe një ndeshje në dispozicion për ta kaluar Shirerin, ndërsa 36 gola i ka shënuar në vetëm 34 takime.
Në të njëjtën kohë, Kejn arriti në 53 gola në vitin kalendarik, shënuar në të gjitha kompeticionet për Totenhemin dhe Anglinë. Lionel Mesi e mbylli vitin me 54 gola duke qenë për momentin në vend të parë, por anglezi ka edhe një takim për ta arritur ose edhe kaluar. Me siguri futbolli anglez është krenar për këtë trashëgimtar të sulmuesve të mëdhenj të së kaluarës si Diksi Din, Xhimi Grivs, Bobi Çarlton, Geri Lineker, Majkëll Ouen, Alen Shirët apo Uejn Runi.
Sfidanti.al