Plani që shihte Ardian Ismajlin duke kaluar në janar nga Empoli te Napoli, ka marrë një goditje të madhe. Humbja ndaj Xhenoas në ndeshjen e fundit të vitit 2024 ka kthyer edhe një herë hijet e luftës për mbijetesë te skuadra e mbrojtësit shqiptar dhe për më tepër, një lëvizje e Lacios ka komplikuar më shumë gjithçka. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Lacio është vënë në lëvizje dhe pritet të sigurojë në janar Jakopo Facinin nga radhët e Empolit. Ai vlerësohet si një nga lojtarët kyç të Empolit dhe ka meritë ashtu si Ismajli për ecurinë e mirë që kishte ekipi në muajt e parë të këtij sezoni.
Gazeta “Il Martino” bën të ditur se presidenti i Empolit ka pranuar ofertën për mesfushorin, por kjo do të thotë që ai do të bllokojë kalimin Ismajlit te Napoli, pasi nuk mund të humbasë njëherësh dy lojtarë kaq të rëndësishëm. Si rrjedhojë, do të jetë mjaft e vështirë që të realizohet transferimi në janar, nëse nuk gjendet një zëvendësues në lartësinë e duhur për mbrojtësin shqiptar i cili kërkohet me ngulm nga Antonio Conte.
sfidanti.al