Kur Gjimshiti shënon Atalanta fiton, hakmarrje ndaj Lacios!

Para dy vjetësh ishte një finale që gjithë Bergamo dëshironte ta fitonte. Nuk qe e thënë dhe Kupa e Italisë shkoi për Lacion, ndërsa këtë mbrëmje Atalanta pati shansin për t’u hakmarrë. Ia doli ndonëse me shumë vështirësi, me fat, por edhe me zotësi ndaj një kundërshtari vërtet të fortë. Një nga heronjtë e golave ishte Berat Gjimshiti, një lojtar që shënon pak, por që kur e bën, skuadra e tij fiton. Kështu ndodhi kur i dha triumfin 3-2 ndaj Veronës disa kohë më parë, dhe po kështu edhe në fitoren 4-1 ndaj Interit në Bergamo.

Në ndeshjen çerekfinale të Kupës, qendërmbrojtësi i kombëtares shfrytëzoi një pakujdesi të sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi, që deshi të largonte topin veçse sfera u përplas me këmbën e shtrirë të Gjimshitit dhe përfundoi në rrjetën e Reinës. Lacio, edhe pse me ndryshime në formacion, sërish u shfaq e fortë dhe përmbysi shifrat kur Muriqi bëri autokritikë duke shënuar, e më pas erdhi rrjeta e Açerbit. Ky i fundit kishte asistuar edhe Muriqin. Pjesa e parë spektakolare u mbyll 2-2 kur Malinovski barazoi, ndërsa pas pushimit Atalanta mbeti me 10 vetë (Palomino të kuqe në 54’), por sërish fitoi me golin e Mirançukut në 57’. Tashmë, Atalanta në gjysmëfinale dhe me një mendim serioz për të fituar Kupën.

Sfidanti.al