Prej disa orësh në rrjet po qarkullon fotoja e tatuazhit të një prej zbulimeve të Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku. Sulmuesi nga Gjilani shpërtheu në lotë pas golit të dytë ndaj Polonisë ndërsa në trup kishte të stampuar një tatuazh me mbishkrimin “Katana 138”. Cili është kuptimi? Çfarë lidhje ka me sulmuesin ky tatuazh? Shkrimi në poshtë na i sqaron;
—————————————————————————————————————————
Agim Ramadani qe ushtarak, poet, piktor dhe një nga komandantët më të rëndësishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të gjithë luftës për liri. I ardhur në jetë më 3 maj të vitit 1963, Agimi është një nga 5 fëmijët që rriten nga babai Hysni dhe nëna Fetije. I dalluar në shkollë dhe me prirje artistike, të mesmen e kryen në tekniken e Gjilanit. Kur në mars të vitit 1981 në Kosovë shpërthejnë demonstratat që nisin pas incidentit në mensën e Universitetit të Prishtinës, Agim Ramadani merr pjesë aktive në to, çka i kushton edhe arrestimin. Lirohet dy muaj më vonë dhe pas përfundimit të maturës niset për në Kroaci ku regjistrohet në Akademinë Ushtarake të Zagrebit. Agimi nga Gjilani diplomohet si inxhinier i komunikacionit tokësor, formim që do i shërbejë vite më vonë jo vetëm atij por gjithë historisë së bashkëkombasve në luftë.
Pasi shërben për disa kohë në ushtrinë jugosllave, Agim Ramadani vendos të largohet nga ajo duke dezertuar. Emigron në Zvicër ku nis jetën si shumë shqiptarë në kërkim të kushteve më të mira për veten dhe të afërmit. Ndjek pasionet e tij artistike dhe është i dhënë pas çështjes kombëtare. Është inteligjent Agimi dhe e kupton që liria nuk vjen me fjalë, ajo fitohet me luftë të armatosur. Bashkohet me shqiptarë të tjerë dhe kur në marsin e vitit 1998 në Prekaz bie familja Jashari, vendos të kthehet në tokën mëmë dhe t’i bashkohet forcave të UÇK-së. Përvoja e tij ushtarake dhe formimi i tij si inxhinier i komunikacionit tokësor në Zagreb e bëjnë të çmueshëm kontributin e Agim Ramadanit në luftën për liri.
Djalë i pashëm, i informuar dhe i mençur, etapa e parë e Agimit është në Shqipëri, ku mobilizon të rinjtë e grumbulluar aty në stërvitjet përgatitore përpara nisjes për në luftë. Fjalimet e tij janë frymëzuese dhe përgatitja ushtarake e bën që të jetë bindës në argumenta. Më 24 qershor të vitit 1998, Agim Ramadani hyn më në fund në Kosovë dhe udhëheq Brigadën 138 në Zonën Operative të Dukagjinit, e cila drejtohej nga gjenerali Ramush Haradinaj. Fillimisht merret me ç’minimin e territorit në malësitë ku vepron, duke ndihmuar një numër të madh banorësh të kalojnë të sigurtë kufirin dhe të shkojnë shëndoshë e mirë në Shqipëri, larg plumbit armik. Komandant Agim Ramadani, në luftën për liri merr pseudonimin “Katana”, shpatë e hollë dhe e mprehtë e përdorur nga luftëtarët samurai në Japoni, e saktë dhe vdekjeprurëse.
Komandant “Katana” bëhet pjesë e legjendës në një nga betejat më të rëndësishme për fatet e luftës. Më 9 prill të vitit 1999, në krye të opearacionit “Shigjeta”, Agim Ramadani dhe njësiti “Kobra” i Brigadës 138, nisin në orët e para të mëngjesit një sulm frontal me armikun. Qëllimi është thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, në mënyrë që armët dhe materialet logjistike që vinin nga Shqipëria mëmë të kalonin lirshëm për të furnizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Beteja e Koshares, pas 86 vitesh heq vijën ndarëse mes shqiptarëve të republikës dhe atyre që janë në luftës kundër zgjedhës sllave. E bën çizmja e ushtarëve, e cila i vë shkelmin gurit kufitar duke e rrëzuar atë përfundimisht. Komandant “Katana” pas arritjes së qëllimit dokumentohet duke u shpërndarë cigare shokëve të tij. Liria tani është më afër se kurrë.
“M’u shtershin sytë nëse pushoj,
lirinë tënde me andrrue;
mallkue qoftë gjaku im,
nëse m’vrasin pa luftue.”
Komandant “Katana” bëhet pjesë e përjetësisë dy ditë më vonë, kur më 11 prill mbyll sytë duke rënë në betejë. Dhimbja ndër shokë është e madhe. Shqipëria humbet një atdhetar të çmuar e djalë trim, Kosova një bir që dha jetën për lirinë e saj. Brigada 138 menjëherë pas rënies së komandantit, merr emrin e tij, quhet “Agim Ramadani”. Lufta e Kosovës përfundon në qershor të vitit 1999, shkolla “Bashkimi” në Zhegër, e para e heroit të kombit, sot mban emrin e tij. Agim Ramadani, me formim intelektual dhe ushtarak i zoti, patriot i mirë dhe luftëtar trim, la në Zyrih të shoqen dhe fëmijët duke vënë automatikun në shpatull e mbajtur radio marrësen në dorë për të luftuar në kërkim të lirisë. Një statujë e komandantit sot ndodhet pranë teatrit të qytetit dhe afër çizmes së bronztë ndodhet një gur kufitar nga ata që u thyen 24 vjet më parë në Koshare…