Një gjë është e sigurtë, Kukësi nuk ka qenë asnjëherë kështu që nga dita e debutimit në kompeticionet europiane. Gjatë ditëve të fundit, skuadra verilindore ka bërë të ndjeshëm të gjithë opinionin, për shkak të vizave të mohuara për katër futbollistë, madje u duk se edhe zyrtarët më të lartë të klubit, u kujdesën më shumë për t’u prezantuar si të persekutuar, sesa të mendonin seriozisht për një ndeshje aq të rëndësishme, siç ishte ajo ndaj gjeorgjianëve të Torpedos. Kuptohet që kishin të gjithë të drejtën të ankoheshin në UEFA dhe për indiferencën e FSHF-së, ndërsa në fushën e stadiumit të Tbilisit, skuadra kuksiane u persekutua në mënyrën më sportive të mundëshme.
U deshën vetëm 31 minuta nga fillimi i takimit dhe vendasit kryesonin me rezultatin 4-1, fillimisht me dy gola të Kukianize dhe më pas me Marin e Kamaze. Të katër episode kanë një të përbashkët, që mbrojtja e skuadrës tonë nuk ishte asnjëherë prezente. Nga pjesa e parë mund të mbahet mend vetëm një gol fantastik i Harba për Kukësin, që duke iu bashkuar edhe një rast i mirë i shpërdoruar nga Rexhinaldo, dhanë përshtypjen se ndeshja edhe mund të rihapej. Ndërkohë që në fund të ndeshjes, Kapanaze dhe në fund Plaku me 11-metërsh i dhanë dorën e fundit këtij takimi që përfundoi 5-2 për Torpedon vendase. Tashmë duhet pritur ndeshja e kthimit, por duke sjellë në kujtesë katër ndeshjet e para europiane të Kukësit në këtë sezon, kjo skuadër të lë shumë pak shpresa për të qenë befasuese qoftë edhe në shtëpi.