Meqenëse futbolli kombëtar ka përfunduar dhe tani kemi mbërritur në fazën e përballjeve europiane, mund të kuptojmë se sa të pamëshirshëm kemi qenë me veten, duke deliruar gjatë sezonit të rregullt. Aq shumë e kemi duruar etiketimin, sipas të cilit ky ishte kampionati më i mirë i të gjitha kohërave që është luajur në Shqipëri, saqë një pjesë e mirë e besoi aq shumë, saqë filluan ta belbëzonin në të gjithë 24 orshin e ditës së Zotit. Më pas, fantasia u bë e pakontrollueshme, pasi kampionati ynë u cilësua më i miri i rajonit, por edhe ky nuk ishte fundi. Që një broçkull të bëhet e besueshme është gjithmonë e nevojshme të serviren edhe shembuj, ndërkohë që ne e kishim një të gatshëm… Kukësin. Deri sa të shpallej kampione e vendit, skuadra verilindore pësoi vetëm një humbje, atë të 90 minutave të fundit të sezonit, pikërisht kur nuk i duhej të përpiqej për më shumë dhe mund t’i lejonte vetes të bënte edhe dhurata. Ndërsa gjatë edicionit kemi parë të binin një nga një Barcelona e Mesit, Reali, 12 herë fitues i Champions League dhe me rradhë Bajerni, Juventusi e të tjerë, por Kukësi jo. Potenca jonë imagjinare i kishte kaluar edhe kufinjtë e Ballkanit.
Më pas vjen faza e dytë, ajo realia, kur si gjithmonë nuk i gjejmë dot fjalët dhe presim se çfarë do të na ndodhë. Gjatë periudhës përgatitore na mësyjnë në derë “Federbet”, “Sport Radar” dhe lloj lloj bastexhinjsh të tjerë, të cilët na denoncojnë rezultatet e ekzagjeruara edhe në ndeshje të luajtura në fusha të fshehura mes pyjeve. Kampionët tanë i thirrën në polici, në mes të Vjenës dhe disa u sekuestruan edhe telefonat, sikur të kishin qenë dëshmitarë në një krim. Dhe çfarë kishin bërë si përfundim, asgjë të madhe. Skuadra e pathyeshme shqiptare kishte pësuar 13 gola në 180 minuta, vetëm 5 më pak se sa pësoi në 36 javët e kampionatit që sapo u mbyll. Por ndoshta akuzuesit e kuksianëve nuk kanë të drejtë të na dëmtojnë imazhin e një tjetër skuadre kampione të shqipërisë, pasi tanët u bënë tabelë qitje edhe në ndeshjen zyrtare ndaj “sherifëve” të Moldavisë. Në këtë rast nuk duhet përmendur vetëm fakti, që portjeri Koliçi u kthye në hero, apo gafa e mbrojtësit spanjol në rastin e penalltisë, por edhe statistikat e takimit. Vendasit goditën 27 në kuadrat, madje në dy rastet, për të mos prekur rrjetën, topi u ndalua nga shtyllat. Pra porta e kukësianëve u kthye në një tabelë qitje, ashtu si edhe në ndeshjet e përfolura të fazës përgatitore, duke treguar kështu nivelin e vërtetë të “mjeshtrave” të Ballkanit.