Ndërsa të gjithë po e kritikojnë Barcelonën se nuk po bën ndonjë lëvizje të madhe në tregun e sivjetëm të transferimeve, Barcelona shpalli, dje, se kishte arritur marrëveshje me Xhejms Kostosin që ai të marrë përsipër postin e këshilltarit strategjik në klubin katalonjas. Në pamjë të parë, gjithçka është në rregull, por, kur mëson se një nga rolet më kyç në këtë klub iu dha një personi që qënka një tifoz i madh i Realit të Madridit, atëherë, me të drejtë, të gjithë ngritën vetullat! Si ka mundësi? Dhe, kështu, sulmet e para të forta erdhën në adresë të presidentit të Barcelonës, Hosep Maria Bartomeu që, në fakt, edhe e caktoi në rolin e rëndësishëm të lartpërmendur në klubin katalonjas, pikërisht, njeriun që festoi më të madhe në publik triumfin e Realit të Madridit në Kardif, ku klubi “mbretëror” u shpall, për herë të 12-të, kampion i Evropës.
Rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe që vëjnë në lojë Bartomeun që po përpiqet që të dalë nga situata e pakëndshme, ku u ndodh. “Ne, prej vitesh, kemi investime të mëdha në Amerikë me sponsor kryesor kompaninë ‘Nike’ dhe, tani, me një personalitet të tillë, si Xhejms Kostosi, ne do të sigurojmë një plus suplementar në ato hapësira. Detyra e tij do të jetë që ta paraqesë klubin tonë në një dritë sa më të mirë dhe unë jam i sigurt se ai do të ketë sukses”, u përpoq, dje, që të justifikohej Bartomeu. Por, kjo deklaratë e tij i ndezi edhe më shumë pasionet në rrjetet sociale dhe, për fat të keq, jo në favor të tij!
Sfidanti.al