Kritika për Belgjikën e Martinezit, Brazili “lëpin buzët”

Mund të jetë një përmbysje historike dhe madhështore, por sërish skuadra që e realizoi nuk i shpëtoi dot kritikave. Flasim për Belgjikën e trajnerit Roberto Martinez, e cila mposhti 3-2 Japoninë dhe që do të ndeshet të premten në çerekfinale ndaj Brazilit. Kritikat ishin për sistemin e lojës, 3-5-2, që aplikon trajneri spanjoll, skemë që sipas kritikëve e lë skuadrën belge tepër të dobët në mbrojtje.

Japonezët Inui dhe Haraguçi depërtuan shumë lehtë deri afër portës së Kurtuasë, pasi Karrasko dhe Munier nuk janë mësuar të luajnë në role të tillë. Po ashtu, Hazar dhe Mertens ishin shumë të përparuar duke lënë shumë hapësira për japonezët. De Brujn pati shumë detyra mbrojtëse duke mos e lejuar mesfushorin e Mançester Sitit që të tregojë gjithë potencialin e tij.

“Deili Meil” shkruan se përmbysja u arrit kur lojtarët belgë braktisën skemën 3-5-2, dhe De Brujni nisi të hidhte topa në zonë për shtatlartët e sulmit. Nëse do të vazhdohet kështu, shkruan gazeta britanike, Brazilit i mbetet “të lëpijë buzët”, pasi Nejmar, Kutinjo, Gabriel Zhezus apo Firmino nuk do të jenë kaq naivë sa japonezët.

Sfidanti.al