Nuk ishte nevoja për të pritur këtë të mërkurë. Himni i Kosovës u ekzekutua në Spanjë, në 25 korrik 2019, pavarësisht se vendi iberik nuk e njeh shtetin më të ri të Europës. Ndërsa ekipi përfaqësues i futbollit të Kosovës mbërrin në Sevilje, ia vlen të kujtojmë se himni u luajt në një ndeshje të Botërorit të hendbollit për të rinj. Ndërsa, futbollistët e trajnerit Bernar Shaland bëhen gati për sfidën e Kupës së Botës, në stadium do të dëgjohet sërish ky himn.
Një ndeshje Spanjë-Kosovë nuk është aspak rutinë, pasi kombëtarja spanjolle do të luajë ndaj një shteti që nuk njihet prej vendit të saj. Edhe pse Ministria e Jashtme e drejtuar nga Arança Gonzales Laja e urdhëroi Federatën Spanjolle të Futbollit që t’u bindet rregullave dhe të pranojë simbolet dhe himnin e Kosovës, sërish tensioni mbetet. Problemi me emrin “Katalonjë” nuk e lejon vendin iberik që të bashkohet me shumicën e shteteve europiane për njohjen, ndërsa askush nuk i harron skenat e tre vjetëve më parë pas referendumit për pavarësinë katalanase, diçka që nuk lejohet me ligj në Spanjë.
Gjithsesi, bashkë me ardhjen e ekipin e futbollit, në mediat spanjolle po dalin pjesët e historisë së përgjakshme të Kosovës dhe të lojtarëve të saj. Samir Ujkani, Vedat Muriqi, Milot Rashica e të tjerë kanë folur për gazetat e Madridit, si “AS” e “Marka” , apo për ato të Barcelonës si “Sport” dhe “El Mundo Deportivo”. Publiku spanjoll ka mundësi të mësojë ato të vërteta që deri tani nuk i janë thënë, lidhur me vrasjet dhe qindra mijë refugjatë, ndërsa ka dëgjuar më shumë për viktimat në Serbi pas bombardimit të NATO-s. Nga gazetat katalanase ka madje një entuziazëm që Kosova ia doli të njihej nga FIFA dhe UEFA pas shumë vitesh luftë, ndërsa perceptimi për shtetin e ri ballkanas është pozitiv, ashtu si edhe për lojtarët që cilësohen si bij të luftës.
Gjithsesi, në Sevilje do të luhet futboll dhe Kosova do ta ketë shumë të vështirë ndaj njërës prej skuadrave më të forta të botës. Ekipi i trajnerit Shaland e nisi keq fazën eleminatore të Kupës së Botës me humbjen 0-3 në Prishtinë ndaj Suedisë, por edhe spanjollët nuk janë në formën më të mirë. Trajneri Luis Enrike është shprehur i shqetësuar pas barazimit 1-1 me Greqinë dhe fitores së vështirë 2-1 në Gjeorgji. Spanja, gjithsesi, jepet favorite për ndeshjen e kësaj të mërkure në orën 21:00.
Sfidanti.al