Në gjyq do të dalë në tetor të këtij viti. Nuk dihet nëse do ta gjejë gjë me të vërtetë apo jo, por ligjërisht Karim Benzema rrezikon deri në 5 vjet burg si dhe 75 000 euro gjobë nëse shpallet fajtor. Sulmuesi i Realit dhe ish-sulmuesi i Francës është akuzuar nga ish-shoku i tij i ekipit, Matjë Valbuena se pagoi disa persona që t’i bënin shantazh Valbuenës me anë të një filmimi seksual, me synim për t’i zhvatur shuma parash.
Ngjarja doli në dritë në 2015 kur foli Valbuena, ndërsa u deshën gjashtë vjet për të përgatitur dosjen. Benzema do të paraqitet në gjyq në Versajë pranë Parisit në datat 20 deri në 22 tetor, ndërsa nuk është e qartë se përse procedurat për gjyqin zgjatën kaq shumë. Me gjasë mund të ketë ndikuar fakti që ai është një nga yjet më të mëdhenj të futbollit në Europë dhe luan për klubin më të famshëm në botë, Realin e Madridit.
Gjithsesi, Benzema nuk thirret në kombëtaren e Francës që nga viti 2015, ndërsa për ekipin përfaqësues ka luajtur 81 ndeshje duke shënuar 27 gola. Gjyqi për shantazhin e hamendësuar ndaj Valbuenës, nuk është i pari për 33-vjeçarin. Në vitin 2010, ai doli përpara drejtësisë bashkë me yllin e asaj kohe të Bajernit të Mynihut, Frank Riberi, të akuzuar për marrëdhënie intime me një të mitur, që quhej Zahia Dehar. Katër vjet më vonë, gjyqi i nxorri dy futbollistët të pafajshëm.
Sfidanti.al