Besimi ishte i parakohshëm. Kosova është një realitet i ri dhe i bukur i futbollit, por jo kur vjen puna për rezultatin. Në “Loro Boriçi” të Shkodrës, skuadra tjetër e shqiptarëve u përpoq të përballej si e barabartë me Turqinë, por nuk ia doli. Pavarësisht lojës sulmuese, tërheqëse për t’u parë, të besuarit e trajnerit Bunjaki pësuan një tjetër humbje, madje më të thellë sesa ajo e para në Antalia ndaj turqve.
Në stadiumin më të mirë të Shqipërisë përfundoi 1-4, ku nuk mjaftoi goli i ish-lojtarit të kombëtares kuqezi dhe të Partizanit, Amir Rrahmani. Formacioni mik, me emër vërtet të rëndësishëm europian dhe botëror kaloi i pari në epërsi me anë të Volkan Senit, dhe nuk u trondit nga barazimi i shpejtë. Çengiz Under riktheu avantazhin në pjesën e parë, ndërsa Burak Jilmaz dhe Ëzan Tufan thelluan gjithçka në të dytën.
Nën drejtimin e trajnerit të madh, Fatih Terim, Turqia është plotësisht në pretendime për vendin e parë në grupin I, dhe për kualifikimin për në Botërorin rus. Turqit kanë 11 pikë, po aq sa Ukraina, dhe vetëm 2 më pak se Kroacia e Islanda. Kosova, ndërkaq, ka mbetur fare në fund, me vetëm 1 pikë, duke pasur vetëm shoqërinë e Finlandës.
Sfidanti.al