Mesut Ozil dha dorëheqjen nga kombëtarja e Gjermanisë, pas një deklarate prej 2 000 fjalësh, ku pjesa më pikante ishte akuza për racizëm pasi ai takoi presidentin turk, Erdogan. Që nga ajo ditë, kanë folur radhazi futbollistët Toni Kros, Tomas Myler e Manuel Nojer, si dhe trajneri Lëv, duke hedhur poshtë akuzat për racizëm në kombëtare.
Kjo i ka bërë përshtypje agjentit të Ozilit, Erkut Sogut, i cili i ka akuzuar futbollistët gjermanë se “ose janë naivë, ose janë duke luajtur një skemë”. “Nojeri e akuzoi Ozilin indirekt se nuk e veshi me krenari fanelën e kombëtares dhe kjo është e papranueshme, – tha agjenti, – Myleri nuk e kupton fare këtë çështje, ndërsa Kros, si lojtar me përvojë në kombëtare duhet të sqarojë se çdo të thotë “pakuptim”. Gjithsesi, i pari që fajësoj është presidenti i Federatës, Grindel”.
Erkut Sogut deklaroi se Ozili nuk akuzoi lojtarët e kombëtares dhe trajnerin, pasi prej tyre nuk pati racizëm, por akuzoi federatën e cila duhej ta kishte mbrojtur nga akuzat, por e la vetëm. “Nuk ka asnjë gabim nëse takon dhe fotografohesh me presidentin e Turqisë, kur ai ta kërkon këtë gjë, pasi ky është respekt normal, – tha agjenti, – çfarë duhej të kishte bërë Ozili, ta kishte refuzuar, apo ta kishte takuar pas 2 muajve. Ai e njeh presidentin shumë kohë përpara sesa më njeh mua”.
Sfidanti.al