Vetëm me  300 ” spartanë”, FIFA dënon Shqipërinë për nacionalizëm në Strumicë

Federata Botërore e Futbollit, FIFA, ka dënuar me gjobë financiare Federatën e Futbollit të Shqipërisë, për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe politike nga ana e tifozëve shqiptarë në ndeshjen kualifikuese të Grupit G të Kupës së Botës Rusi 2018 mes Shqipërisë dhe Maqedonisë që u zhvillua, së fundmi, në Strumicë. Federata shqiptare u dënua që të paguajë një gjobë prej 30 000 frankash zvicerane dhe me një paralajmërim suplementar, për shkak të shprehjes së nacionalizmit shqiptar, thirrjeve politike dhe shpërthimit të mjeteve piroteknike në fushë.

Në stadiumin e Strumicës ndodheshin rreth 300 tifozë shqiptarë që gjatë ndeshjes, sikurse thuhet, u sollën në mënyrë të pahijshme, duke hedhur parrulla nacionaliste e politike të ndryshme të tipit “UCK”, “Ilirida”, “Shqipëria e madhe”, si dhe duke hedhur në fushë mjete shpërthyese piroteknike.

Me një gjobë financire prej 5000 frankash zvicerane dhe me parajmërim u dënua edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë, ndërkohë që Komisioni Disiplinor i FIFA-s paralajmëroi edhe Federatën e Futbollit të Izraelit për ndeshjen në Haifa me Maqedonisë, për shkak të hedhjes në fushë të sendeve të forta.

Sfidanti.al