Uzuni e sheh si derbi duelin Shqipëri-Hungari në Botëror!

Detyrën e parë e përfundoi. Myrto Uzuni e fitoi titullin me Ferencvaroshin në Hungari, ndërsa bashkë me shokët e skuadrës po diskutojnë për diçka tjetër. Në 5 shtator, i veshur me fanelën e Shqipërisë, ai do të jetë përballë Hungarisë në “Arenën Air Albania” për ndeshjen eleminatore të Kupës së Botës. Duke folur për të përditshmen sportive hungareze, “Nemzeti Sport”, sulmuesi 25-vjeçar thotë se ka pasur ngacmime dhe humor mes tij e disa shokëve tek Ferencvaroshi.

“Ne po ngacmojmë njëri-tjetrin për një kohë të gjatë, – shprehet Uzuni, – kam bërë shaka me shokët si Dibus, kapiteni Lovrençiç, Botka apo Shiger. Hungaria ka një ekip shumë të mirë, por po ashtu edhe ne. Besoj se ne luajmë një futboll të ngjashëm. Do të jenë 90 minuta emocionuese dhe unë uroj të fitojë më i miri”. Shqipëria është në vendin e tretë në renditje me 6 pikë pas tri ndeshjeve të para, ndërsa Hungaria është e dyta me 7.

Gjithsesi, një temë e nxehtë është e ardhmja e Uzunit, pasi kërkohet nga Olimpiakosi, dhe Ferencvaroshi dëshiron 4 milionë euro për kartonin. Vetë shqiptari nuk komenton këto zëra, por thotë se po merret me dokumentacionin që të mos ketë probleme kur të kthehet në Shqipëri për dy ndeshjet miqësore të kombëtares ndaj Uellsit e Çekisë në fillim të qershorit. Uzuni thotë se duhen luajtur ende 3 javë kampionat, ndërsa më pas duhet të bëhet pak pushim për t’u paraqitur në verë në kompleksin stërvitor të Ferencvaroshit. Ai është shënuesi më i mirë i ekipit me 12 gola, një nga 3 golshënuesit më të mirë të Superligës hungareze, ndërsa e ardhmja duket shumë e mirë.

Sfidanti.al