Superliga, Vllaznia merr kreun pas fitores me Skënderbeun!

Nuk dihet nëse e fiton titullin, por periudhën e vështirë e ka kaluar. Vllaznia u ngjit në vend të parë të Superligës, të paktën përkohësisht, pas fitores 2-1 ndaj Skënderbeut. Skuadra e trajnerit Tomas Brdariç nuk e kaloi aspak lehtë 90 minutëshin në “Loro Boriçi”, madje iu desh përmbysja, veçse sërish i mori tri pikët. Miqtë kaluan të parët në epërsi me anë të Berishës, por vendasit reaguan shpejt dhe barazuan 2 minuta më vonë. Autori i golit ishte Shehi.

Përballja ishte e luftuar deri në fund, por Vllaznia pati përvojën dhe meritën për të bërë diferencën me anë të golit të Dilaverit pak minuta pas pushimit. Të besuarit e trajnerit gjerman kanë tani 53 pikë ndaj 52 të Teutës që luan më vonë, dhe po arrijnë rezultate pozitive radhazi, siç ishte barazimi në fushën e Laçit, dhe arritja në finalen e Kupës së Shqipërisë, po ndaj kurbinasve.

Në ndeshjet e tjera të orës 13:00, Laçi u ndal në barazim pa gola në Kamzë nga Kastrioti. Përballja ishte e fortë, ndërsa miqtë mbetën me 10 lojtarë kur sulmuesi Nuabueze u përjashtua me karton të kuq. Bylisi, ndërkaq, mundi 1-0 Apoloninë me gol të shënuar fare në fund. Në 16:00 luhen dy ndeshjet e fundit të javës së 29-të, Teuta-Tirana e Partizani-Kukësi.

Sfidanti.al