Diçka që nuk mund të mendohej në kushte të tjera. Lojtarët e tanishëm të kombëtares shqiptare kanë më shumë përvojë sesa ata të thirrur në këtë moment nga Spanja. Ndërsa jemi në prag të miqësores së 26 marsit në Barcelonë, një shqyrtim i statistikave të të dyja skuadrave na mëson se futbollistët kuqezinj të Edi Rejës kanë në total 534 ndeshje, ndaj 449 të iberikëve. Kjo ndodh sepse Shqipëria tashmë e ka një bosht të krijuar vitet e fundit, ndërsa tekniku i “Furive të Kuqe”, Luis Enrike, është duke krijuar një kombëtare të re. Jo më kot jashtë ekipit është lënë edhe Sergio Buskets, i fundit nga kampionët e botës të vitit 2010 dhe që ka 133 ndeshje në kombëtare. Po ashtu, nuk është thirrur portieri David De Gea.
Lojtarët me më shumë përvojë tek spanjollët janë Zhordi Alba me 80 ndeshje, Koke 61 dhe Morata me 50. Të rinj si Pedri, Diego Jorente, Markos Jorente, Gavi, Soler, De Tomas apo Pinto kanë ndeshje që numërohen me gishtat e dorës. Tek Shqipëria, futbollistët më të aktivizuar janë kapiteni Etrit Berisha me 80 ndeshje, Roshi me 67, Hysaj me 65, Cikalleshi me 45 dhe Gjimshiti me 44 ndeshje. Gjithsesi, pavarësisht rritjes së nivelit të kombëtares kuqezi, Spanja është në një nivel krejt tjetër. Gjysmëfinaliste e Europianit dhe finaliste e Ligës së Kombeve, ajo ka disa talente që cilësohen si ndër më të mëdhenjtë në botë.
Sfidanti.al