Stema të FIFA-s për arbitrat kosovarë të futbollit

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka pritur në një takim gjyqtarët e parë të Kosovës të cilët janë përfshirë në listën e gjyqtarëve të FIFA-s, Genc Nuza si gjyqtar kryesor, dy anësorët, Bujar Selimaj e Fatlum Berisha, si dhe Lumturije Muhadri në konkurrencën e femrave dhe Besart Ismajli e Besar Beqiri në futsall.

Me këtë rast, Vokrri bëri edhe ndarjen e stemave të FIFA-s të cilat kanë arritur për këta gjyqtarë si dhe të gjitha pajisjet tjera përcjellëse për gjyqtarë. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Erol Salihu, kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani, dhe administratori Adem Çollakaj.

Kryetari Vokrri ka përgëzuar të gjyqtarët për këtë arritje, pasi do të jenë gjyqtarët e parë nga Kosova që do ta bartin stemën e FIFA-s. “Sikur edhe ne tjerët që e përfaqësojmë Kosovën edhe ju e keni obligim dhe përgjegjësi që të na prezantoni në mënyrën më të mirë të mundshme. Ju jeni dalluar me ndarjen e drejtësisë në kampionatin tonë dhe kjo ua ka mundësuar që të përzgjidheni për të marrë thirrjen ndërkombëtare, andaj shpresoj që edhe në arenën ndërkombëtare do të na prezantoni në mënyrën më të mirë dhe më të ndershme të mundshme, sepse me sukseset e juaja do t’i hapni rrugë edhe kolegëve tuaj tjerë, në mënyrë që të mos mbesim vetëm me juve, por të ketë edhe gjyqtarë tjerë që do të depërtojnë në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar ndër të tjera Vokrri. Sa i përket pengesave që ka bërë shteti spanjoll ndaj gjyqtarit Genc Nuza, të cilit nuk i është lejuar hyrja në këtë shtet për të marrë pjesë në testimet që i ka organizuar FIFA, Vokrri ka thënë se kjo ka të bëjë me shumë me çështje politike si pasojë që Spanja nuk e njeh Kosovën, mirëpo ai ka bërë me dije se në takimet e ardhshme me zyrtarët e UEFA-s gjatë kësaj jave sërish do ta diskutojnë këtë çështje në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë pengesa të tilla.