Spanja nuk na i lejoi, por me Gjeorgjinë mund të bëhen eksperimente

Spanja është harruar dhe është koha për të provuar diçka të re. Nëse miqësorja e luksit në Barcelonë nuk i dha thuajse asnjë mundësi trajnerit Edi Reja për të bërë eksperimentime në kombëtare, krejt ndryshe pritet të jetë për ndeshjen e nesërme ndaj Gjeorgjisë në Tiranë. Burime nga kombëtarja bëjnë me dije se tekniku italian po mendon për ndryshime në formacion, dhe po ashtu për zëvendësime më të shpejta në pjesën e dytë. Në portë mund të jetë Strakosha e ndoshta të provohet Kastrati, në mbrojtje mund t’u jepen minuta Prengës, Lenjanit e Hoxhallarit, ndërsa në mesfushë në pritje janë Çekiçi, Ramadani, Roshi e sidomos Kristijan Asllani. Për sulmin, gjithashtu Reja ka mundësi të bëjë prova sepse ka në dispozicion Manajn dhe Vrionin, ndërsa Uzuni mund të luajë që nga minuta e parë, diçka që ai e ka kërkuar me këmbëngulje. Ekipi përfaqësues kthehet pasdite vonë nga Barcelona për t’u vendosur në kompleksin “Tropikal” në plazhin e Durrësit, ndërsa miqësorja me Gjeorgjinë është nesër në orën 17:00 në “Arenën Air Albania”.

Sfidanti.al