Prag-Andorra, Reja kërkon fitoren me 9 ndryshime në formacion!

Në pamje të parë janë duke u stërvitur kot. Sipas mentalitetit që shpesh sundon në Shqipëri, kur një ndeshje nuk ka vlerë, është e kotë që të lodhesh për ta luajtur mirë, veçse kombëtarja mendon ndryshe. Lojtarët kuqezinj do të dalin sonte në fushë në “Arenën Air Albania” në sfidën ndaj Andorrës në orën 20:45, me synim fitoren. Kjo edhe pse trajneri Edi Reja ka bërë ndryshime të shumta në formacion. Vetëm dy lojtarë nga ata që luajtën në Angli, pritet të jenë titullarë, Hysaj e Uzuni, ndërsa mbrojtja e mesfusha janë thuajse totalisht të transformuara. Përpara portierit Berisha do të jetë treshja e pazakontë Mihaj-Dermaku-Hoxhallari, ndërsa në qendër të mesfushës Laçi, Ramadani e Çekiçi.

Në sulm, e papritura e ka emrin Taulant Seferi, me sulmuesin e Tiranës që zë vendin e Cikalleshit. Shqipëria synon fitoren ndaj Andorrës për të mbajtur vendin e tretë në renditje, që i kërcënohet nga Hungaria. Kuqezinjtë nën drejtimin e Rejës kanë marrë këtë edicion të eleminatoreve të Botërorit 15 pikë në 9 ndeshje, dhe nëse fitojnë arrijnë në rekordin e 18 pikëve. Është e vërtetë që 12 pikë do të ishin ndaj ekipeve modestë si Andorra e San Marino, por kemi gjithashtu dy fitore ndaj Hungarisë, për herë të parë në histori. Kombëtarja luan për të përmirësuar renditjen në FIFA dhe për t’u përgatitur për Europianin e ardhshëm, duke mos pasur shpresa në plej of, ndërsa kundër Andorrës duhet të luajnë seriozisht. Të mos harrojmë se herën e fundit kur u ndeshëm në Elbasan, ndeshja përfundoi 2-2.

Formacioni i mundshëm (3-5-2): Berisha, Miha, Dermaku, Hoxhallari, Roshi, Laçi, Ramadani, Çekiçi, Hysaj, Uzuni, Seferi.

Sfidanti.al