Armando Sadiku, sulmuesi i Zurichut, ka konfirmuar se është në kontakte me skuadrën e Luganos.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku mund të bëhet me skuadër të re gjatë janarit. Ai ka konfirmuar se është në kontakte me skuadrën e Luganos, e cila drejtohet nga ish ndihmës i Gianni de Biasit, Paolo Tramezzani.
“E di që palët janë duke negociuar, agjenti im po merret me këtë situatë dhe të shohim se si do të shkojnë gjërat. Në këtë moment preferoj të mos flas dhe të pres se çfarë drejtimi do të marrë kjo situatë”, ka deklaruar Sadiku.
Sulmuesi nga Elbasani ishte pjesë e Luganos edhe në sezonin 2012-2013. Ai me fanellën e kësaj skuadre kishte shenuar 24 gola.
“Sigurisht, e njoh mirë Luganon dhe gjithçka që rrethon skuadrën dhe klubin. Gjatë periudhës që mbaja fanellën bardhezi jam ndier mirë edhe pse më vjen keq që nuk arritëm të ngjiteshim në Superligë. Tani konteksti ka ndryshuar duke qenë se skuadra po lufton për mbijetesën në kategorinë elitare. Për sa i përket Tramezzanit, nuk mund të flas veçse mirë”, tha ai.