E pamundur të shmanget çdo rrezik, por shpresohet të mbetet me kaq. Kombëtarja shqiptare është goditur nga koronavirusi dhe nga grumbullimi janë larguar dy persona, mbrojtësi Erion Hoxhallari dhe fizioterapisti Arzen Voci. Largimi i tyre ka ndodhur që pasditen e djeshme, por Federata Shqiptare e Futbollit e dha njoftimin vetëm këtë të mërkurë paradite. Hoxhallari dhe Voci janë në gjendje të mirë shëndetësore, sipas versionit zyrtar, dhe janë të izoluar. Pjesa tjetër e skuadrës për momentin është pa probleme, por burime në Federatë bëjnë me dijë se të gjithë do të bëjnë një tampon me gjasë ditën e nesërme.
Pavarësisht nga rreziku i përhapjes së infektimit, meqë Hoxhallari e Voci kanë qenë bashkë me të tjerët, programi stërvitor i trajnerit Edi Reja nuk ndryshon. E sigurt është që mbrojtësi i Tiranës nuk do të jenë në ekip për ndeshjet eleminatore të Botërorit ndaj Hungarisë e Polonisë në 9 e 12 tetor. Aktualisht, tekniku italian nuk ka marrë asnjë lojtar që ta zëvendësojë futbollistin e krahut, që është aktivizuar dy herë në kombëtare, duke bërë debutimin në miqësoren ndaj Kosovës, nëntorin e vitit të kaluar.
Sfidanti.al