Ferrarit i humbi “ashensori” i duhur për të marrë Ljuis Hamiltonin

Është një baladë në hapësirat e ish-Jugosllavisë, me emrin “s’ta shpreh dot me fjalë dhimbjen”, dhe që e këndojnë ylli i muzikës boshnjake Hari Mata Hari, dhe këngëtarja e shquar kroate Nina Badriç. Ajo këngë flet për një dashuri që nuk arrit kurrë të realizohej, sepse “Romeo dhe Zhuljeta” e radhës kishin lindur në kohë të ndryshme për njëri-tjetrin. Kësaj balade duket se i ngjan historia e pandodhur mes Ferrarit dhe Ljuis Hamiltonit. Së fundmi, në një intervistë, piloti anglez deklaroi se “jam i habitur se përse nuk kam garuar asnjëherë për Ferrarin, ndonëse për çdo pilot është një ëndër”. “Unë nuk do ta kuptoj kurrë ndoshta se përse nuk e bëra”, – theksoi ai. Ish-shefi i Ferrarit, Stefano Domenikali (sot shef në Formula 1) deklaron se “tashmë ka kaluar koha që Ljuisi mund të garonte për Ferrarin”, me siguri duke pasur parasysh moshën 36-vjeçare dhe kontratën që ka me Mercedesin. “Ne kemi menduar që ta marrim, por nuk ka ndodhur, – tha ai, – kjo situatë i ngjan filmit “dyert që rrotullohen”. Mund të ndodhë që ke hipur në ashensor dhe ngjitesh në një kat tjetër, jo në katin ku mund të takoje personin, kështu duket se ka ndodhur edhe me Ljuisin”.

Sfidanti.al