Ka fituar vlerësime të rëndësishme edhe më parë. Berat Gjimshiti është kthyer në “shtyllë” të vërtetë të kombëtares shqiptare, ashtu si edhe tek Atalanta në Serinë A apo në Champions, dhe në sfidën ndaj Hungarisë u dallua përsëri. Paraqitja e qendërmbrojtësit ishte e një niveli të tillë në “Elbasan Arena” saqë faqja e specializuar sportive, “Sofaskor” (SofaScore) e cilësoi si më të mirin në fushë të të dyja skuadrave, dhe i bëri vend në formacionin e javës për ndeshjet e raundit të pestë të eleminatoreve të Botërorit. Gjimshiti mori notën 7.9 dhe kjo mjaftoi që ai të bënte pjesë në mbrojtjen me 3 lojtarë të përbërë nga Bjarnason i Islandës dhe Milenkoviç i Serbisë. E vërtetë që lojtarët e tjerë të formacionit të javës morën notë më të mirë sesa shqiptari i Kosovës, me përjashtim të Bjarnasonit që ishte baraz me të, por për Gjimshitin mjafton fakti që hyri në një ekip të tillë. Në moshën 28-vjeçare, qendërmbrojtësi është në kulmin e formës duke ndihmuar vazhdimisht kombëtaren shqiptare që të ketë një nga mbrojtjet e forta të Europës, po ashtu edhe Atalantën që të shkëlqejë në Serinë A e të kualifikohet për në Champions për 3 sezone radhazi.
Sfidanti.al