Kombëtarja shqiptare rrezikon një dënim të ashpër nga UEFA pas asaj që ndodhi në Palermo. Mund të ketë edhe vendim për t’i luajtur ndeshjet pa tifozë në fushën tonë
Tetë apo nëntë minuta ndërprerje e një ndeshjeje nuk është shaka.
Kombëtarja shqiptare rrezikon shumë pas shashkës dhe tymueseve të hedhur në fushë dhe pranë saj, në përballjen në Palermo ndaj Italisë.
UEFA i dënon ashpër gjeste të tilla dhe besohet se mund të ketë një vendim që Shqipëria të luajë pa tifozë të paktën një ndeshje në fushën e saj, apo edhe më shumë.
Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se pozitën tonë e rëndon ndërprerja e ndeshjes, dhe fakti që jemi përsëritës.
Po ashtu, rëndon edhe fakti që një punonjës shërbimi në stadium u plagos qoftë edhe lehtë.
UEFA do të presë raportin e delegatit të saj në ndeshjen e Botërorit, dhe po ashtu të gjyqtarit, dhe vetëm më pas do të marrë një vendim që do t’ia bëjë me dije Federatës.
Besohet se kaosi në stadiumin “Renco Barbera” u shkaktua nga grupimi I tifozëve i quajtur “Ilirian Elitë”.
I njëjti grupim besohet se hodhi shashka dhe tymuese edhe në Lihtenshtejn, në ndeshjen tjetër eleminatore.
Federata ka marrë disa gjoba për shkak të sjelljes së tifozëve, duke nisur nga takimi me Maqedoninë dhe më pas, gjë që e rëndon pozitën e saj.
Autoritetet italianet ndërkaq kanë arrestuar një tifoz shqiptar pas takimit, ndërsa mediat raportojnë se janë skeduar edhe 77 të tjerë, si përgjegjës për atë që ngjau.
Gjithçka ka shkaktuar edhe debate të tifozëve në mediat elektronike dhe në rrjetet sociale.
Një tifoz I Interit, duket shqiptar, ka akuzuar se rasti I Palermos po zmadhohet qëllimisht meqë ndodhi nga shqiptarët, ndërsa në stadiumet italiane, sipas tij, gjëra të tilla janë të shpeshta, por nuk bien në sy.
Një tjetër akuzoi policinë për masat e sigurisë të pamjaftueshme, duke komentuar se në stadium mund të kishte hyrë edhe një bazuka.
Keqardhja është e madhe edhe për dëmtimin e imazhit të shkëlqyer të krijuar në miqësoren ndaj Italisë në Gjenovë në 2014, si dhe në kampionatin europian në Francë