Muaj e muaj për të fryrë një skuadër që në fund të ditës shkërrmoqet përballë një ekipi ekspert në traditë edhe pse në emra jo më skuadra e frikshme. Mjafton Kili për të rikthyer me këmbë në tokë kuqezinjtë që gjatë vitit të fundit kanë hapur dyert për të gjitha llojet e elozheve por në fund të marsit fillojnë dhe mbarojnë te loja mediokre, rasti i Brojës së fryrë nga mediat dhe tifozët, te Manaj i shfryrë dhe te skuadra pa dëshirë e kurajo për të bërë më shumë.
A është ky limiti i skuadrës? Ndoshta jo por ndeshja e Parmës tregoi kufirin e ndaluar të skuadrës tonë që bën mirë të mësojë shumë nga gabimet e mbrëmjes së ftohtë italiane. Saktësia, kthjelltësia, cinizmi dhe dëshira e kilianëve bënë diferencën përballë emrave të pompuar të Asllanit, Bajramit, Brojës, Manajt e Bajramit. Suedia do të na tregojë me shumë por miqësorja e Parmës është antipasta e asaj që na pret në Gjermani ku me paraqitje të tilla, disfatat mund të jenë edhe më turpëruese.
Nga Pirro Bardhyli