Miqësoret me Kilin dhe Suedinë nuk do të heqin pikëpyetje rreth formës së Kombëtares, madje do t’i shtojnë ato dhe Shqipëria nuk do të bëhet më e fortë apo më e dobët, thjesht do të hedhë hapin e radhës drejt një kapitulli të ri. Eleminatoret e hedhura pas krahëve dhe rritja e stekës me ndeshje përballë kundërshtarëve të nivelit botëror, mund të zhgënjejnë në rezultate dhe këtë e parapriu trajneri Sylvinho, i cili e tha qartë që në këtë moment miqësore nuk ekzistojnë, ka thjesht ndeshje në të cilat duhet luftuar për të fituar.
Në këtë aspekt, hapi i radhës dhe ai më i rëndësishmi është ndërtimi i një mentaliteti fitues në vazhdimësi pasi trajneri brazilian është i sigurt për cilësitë teknike e fizike të skuadrës ndërsa formacionin e ka formësuar pothuajse në kokën e tij me përjashtim të ndonjë emri. Për teknikun nuk është dhe nuk duhet të jetë ky debati i vërtetë, emrat. Sipas Sylvinhos, aktorët mund të ndryshojnë sipas interesave të momentit në dobi të skuadrës, por ai që ka më shumë rëndësi është mentaliteti pasi Kombëtarja duhet të nryshojë njëherë e përgjithmonë në mënyrën e të menduarit, në mënyrë që nesër pas Euro 2024 mos të rikthehet sërish e vogël.
Nga Pirro Bardhyli