Kombëtare eksperimentale në miqësore

Trajneri Sylvio Mendes do të ketë mundësi të bëjë një rotacion të gjerë për të testuar lojtarët me më pak minuta në eleminatore por edhe për të vërtetuar në terren teorinë e tij se në këtë skuadër nuk ka 11 por 23 lojtarë. Braziliani nuk do të ketë stresin e rezultatit, të pikëve, apo atë kualifikimin që tani e kemi kaq afër. Ajo kundër Bullgarisë, të martën e 17 tetorit, është një mundësi e madhe për brazilianin të provojë pa risk alternativat që mund të ketë në skuadër, apo ato që mund ti vlejnë në të ardhmen, si dëshmoi thirrja e Çunit, për herë të parë në kombëtare.

Por është shansi për të treguar veten edhe për të gjitha ata lojtarë që në kualifikuese minutat nuk i kanë pasur të shumta. Uzuni i pari, goleadori i Grandas që me kombëtaren luan në pozicionin e tij jo natyral. Ndaj bullgarëve me Dakun të dëmtuar e Cikalleshin të sforcuar nga intensiteti kundër çekëve do ti takojë beratasit të udhëheqë sulmin, bashkë me Muçin që ka ndezur motorët në të majtë e Arbnor Mujën që mund ta bëjë Asanin të marrë frymë.

Anësori pasi pa t’i anullohet goli i parë kuqezi me VAR do të kërkojë të tregojë potencialin e tij me Bullgarinë. Ndryshimet duhet të prekin pothuaj të gjitha repartet me Strakoshën në portë, që do bëjë stafetën me Berishën, apo Balliu në mbrojtje që mezi po pret të marrë krahun në kompetencë të tij. Asnjë motiv për të rrezikuar Bajramin, që kundër çekëve ndjeu shqetësim muskulare, pavarësisht se bëhej fjalë për ngërçe të lehta, që nuk e kanë penguar të kthehet menjëherë në stërvitje me grupin.

Laçi dhe Gjasula janë favoritë për të qenë titullarë kundër Bullgarisë, me Sylvinho që tashmë shpreson shumë të marrë përgjigjet e duhura edhe nga ata që konsiderohen linja të dytë nga tifozët, por janë pjesë e grupit për brazilianin.

sfidanti.al