Rusia nuk është aspak e bukur, por vazhdon të fitojë. Nën drejtimin e “komandantit” Çerçesov, e bukur është djersa mbi fanelat dhe në ballin e futbollistëve që papritur e bënë kombin e tyre krenar. Rusët mundën 2-0 Turqinë në stadiumin “Fisht” të Soçit, duke hedhur një tjetër hap drejt kalimit të fazës së grupeve, dhe drejt kalimit nga niveli B, në nivelin elitar A të Ligës së Kombeve.
Nojshteter dhe Çerishev shënuan golat, përkatësisht në minutat 20 dhe 78, ndërsa Stanislav “Stas” Çerçesov vlerësoi lart karakterin e të tijve. “Ju thoni se ne nuk luajmë bukur, – u tha ai gazetarëve pas ndeshjes, – unë nuk jam artist dhe nuk luaj për syrin e bukur, por luaj një lojë të ashpër. Rëndësi ka që ne shënuam dy gola dhe kënaqëm njerëzit. Në këtë sport, rëndësi ka që të fitosh”.
Rusia ka ecur me këtë “moto” në Botëror, duke mbërritur në çerekfinale, edhe pse pa lojtarë me klas të lartë, siç kishte në 1994 apo 2008. Çerçesov është kthyer në simbol të krenarisë kombëtare, ndërsa rusët kanë 7 pikë pas 3 ndeshjeve, ndërsa Turqia ka 3 dhe Suedia 1. Gazeta ruse “Sport Ekspres” e cilësoi kështu fitoren e ekipit të Çerçesovit: “Futbolli i njeriut të shëndetshëm”!
Sfidanti.al