“Kokoshi katandiset një thelë”, 450 milionë euro humbje për Interin e Juven!

Kur nga Torino doli raporti për bilancin e fundit financiar, pati sy të shqyer dhe habi të madhe. “Zonja e Vjetër”, e shquar në mënyrën e organizimit, të arrijë në 210 milionë euro humbje vetëm në një sezon? Kjo nuk mendohej, por gjithsesi nuk ishte më e keqja. Së fundmi, edhe Interi i Milanos botoi raportin financiar të 2020-2021 dhe gjendja doli më e keqe sesa e Juventusit. Zikaltërit kanë një humbje prej 245.6 milionë eurosh, dhe kjo ka ardhur për shkak të mungesës së tifozëve në stadiume (“San Siro” mban 80 000), si dhe pakësimit të të ardhurave nga sponsorët, gjithçka e shkaktuar thuajse ekzkluzivisht nga Kovid 19. Dy nga 3 klubet kryesore në Itali kanë një humbje të përbashkët prej mbi 455 milionë eurosh, dhe padyshim humbje duhet të kenë edhe të tjerët. Jo më kot thuhet se Seria A është në krizë të thellë, ndonëse jo më pak edhe La Liga në Spanjë.

Sfidanti.al