Klopp “driblon” kritikat pse la trajnerin për këshilltar

Nga 1 janari 2025, Jürgen Klopp do të punojë si shef i futbollit brenda grupit “Red Bull”. Ky lajm i befasoi të gjithë, veçanërisht sepse trajneri gjerman kishte përfaqësuar gjithmonë “romancën e futbollit” falë punës së tij me Mainz, Borussia Dortmund dhe Liverpool, si dhe me sjelljen e tij jashtë fushës së blertë. Tani do të punojë për një kompani të akuzuar se “përdor” futbollin (si sportet e tjera) për të fituar publicitet dhe shkatërruar konkurrencën.

“Duhet thënë qartë se kurrë nuk e kam ndjekur historinë e ‘Red Bull’ në një mënyrë kaq specifike”, tha Klopp në podcast-in e vëllezërve Toni dhe Felix Kroos. Trajneri gjerman foli mbi të gjitha për rezultatet e arritura nga klubet e galaktikës së “Red Bull”, veçanërisht në tregun e transferimeve. Shumë klube kanë marrë prej kësaj galaktike lojtarë si Willi Orban, Kevin Kampl, Yussuf Poulsen, Dayot Upamecano, Ibrahima Konaté dhe Christopher Nkunku. Një strategji që Klopp e përkufizon si “fituese”.

“Sigurisht që nuk dua t’i shkel në kallo askujt, personalisht i dua të gjitha ish-klubet e mia. Megjithatë, nuk e di saktësisht se çfarë mund të kisha bërë për t’i lumturuar të gjithë… Për mua kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, dua të jem i sinqertë. Në thelb do të jem konsulent për futbollin i kompanisë së madhe, shpresoj se mund t’i vlerësoj gjërat në mënyrë korrekte. Jam i gatshëm të punoj në sinergji me trajnerët, sektorin që njoh më mirë”.

Më tej ai zbuloi: “Kolegu im më i afërt do të jetë Mario Gomez, askush nga ne nuk do ta kishte imagjinuar që kjo do të ndodhte herët a vonë. Do të jetë diçka fantastike. Sigurisht që tashmë kam folur me Marion, edhe pse punën do ta filloj më 1 janar. Deri atëherë do të jem me pushime”.

sfidanti.al