Të dielën shkohet në “Etihad”, aty ku herën e fundit u pësua një humbje e thellë. Për Liverpulin prej kohësh nuk ka fushë më të vështirë sesa ajo e Mançester Sitit, diçka që nuk ngurroi ta theksonte trajneri Jurgen Klop, ndonëse u kujdes ta zbuste situatën për të mos e paraqitur si shumë tensionuese. “Për ne, ndeshja në fushën e Mançester Sitit është më e vështira që mund të ekzistojë në botë, – u shpreh tekniku gjerman, – por gjithsesi, ndeshja e së dielës nuk është vendimtare për titull. Është shumë shpejt, ka shumë ndeshje për t’u luajtur dhe shumë pikë në lojë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ne duhet të mos shqetësohemi nëse humbasim, ne duam që të fitojmë”. Klopi e thekson këtë ndonëse Liverpuli e ka nisur sezonin në Premier Ligë shumë më mirë sesa Siti që ndodhet në vendin e 10-të. Bilanci mes dy ekipeve në kampionat në “Etihad” e vërteton paralajmërimin e tij, pasi rezultatet e sfidave të fundit janë 4-0, 2-1, 5-0. Në total, në 10 vitet e fundit, Siti ka 7 fitore, 2 barazime 1 humbje në “Etihad” me golaverazhin 26-10.
Sfidanti.al