A do të pranojë Ramosi uljen e rrogës 17-milionëshe tek Reali?!

Në futboll, si në çdo sport tjetër, dhe si në çdo profesion që paguhet për punën që bën, rroga ka një vlerë jo vetëm materiale, por edhe parimore. Të tillë e ka edhe për Sergio Ramosin i cili me 17 milionë eurot në sezon që fiton tek Reali, përveçse shton pasurinë personale, tregon statusin që ka dhe vlerën si futbollist. Të përditshmet spanjolle shkruajnë se kjo rrogë duhet të ulet në mënyrë që Reali të bindet për t’i dhënë një kontratë të re. “Marka” dhe “AS” shkruajnë se presidenti Perez ka bërë një përjashtim në politikën e tij për të mos u dhënë lojtarëve 30-vjeçarë e lart më shumë se 1 vit shtesë në kontratë.

Ramosi 34-vjeçar do të ketë një rinovim 2-vjeçar nëse do të pranojë, por me kusht që të ulë rrogën. Kjo është pasojë e krizës së koronavirusit, por nuk dihet nëse kapiteni do të pranojë. Tek Barcelona po bëhet luftë e madhe sepse yjet nuk pranojnë të njëjtin propozim të klubit, ndërsa Sindikata e tyre në Spanjë ka paralajmëruar pasoja. Gjithsesi, arsyeja financiare mbizotëron dhe pritet që Ramosi të pranojë për ta përfunduar karrierën me lavdi tek Reali.

Sfidanti.al