Pse Erikseni nuk është “i prerë” për Serinë A? Këtë e di Mikael Laudrupi!

Fillimisht, ai ishte në rregull në Angli, por më pas dalë nga dalë nisi rënia. Kristian Eriksen është padyshim një talent i spikatur futbolli, veçse karriera e tij në Angli dhe tani në Itali po ndjek disa trajektore aspak të qendrueshme. Pasi vendosi të largohej nga Totenhemi, dhe mbeti jashtë skuadre për këtë shkak, në janar 2020 ai kaloi tek Interi për rreth 20 milionë euro. Antonio Konte e kërkoi me ngulm dhe klubi ia siguroi, por trajneri nuk po arrin të marrë maksimumin nga “regjisori” danez. Jo vetëm maksimumin, por nuk po merret as normalja, madje Erikseni po “ngroh” stolin.

Patrioti i tij, ylli i madh i dikurshëm i Danimarkës, Mikael Laudrup, e këshillon 28-vjeçarin që të bëjë gati valixhet e të largohet nga Seria A. “Stili i tij i lojës nuk është i përshtatshëm për futbollin italian, apo më saktë futbolli italian nuk i përshtatet atij, – tha Laudrupi, – ai padyshim është një lojtar i madh. Ai ka dy mesfushorë prapa tij, dhe një gjigand si Lukaku si dhe Lautaro Martinezin përpara në sulm. “. Laudrupi shpjegon se “mund të ketë mospërputhje kulturore dhe probleme psikologjike, por besoj edhe se mund ta ketë të vështirë të përshtatet teknikisht”. Mediat italiane shkruajnë se Erikseni mund të shkojë tek Paris SG.

Sfidanti.al