Klopi kënaqet me pikën pas dëmtimeve të shumta tek Liverpuli

Ishte një vlerësim sa për sy e faqe, pasi trajneri ambicioz nuk mund të thotë se është me duar plot pas një barazimi të dytë radhazi në Premier Ligë. Aq më tepër kur rivali kryesor, kampioni Man. Siti është i shkëputur me 6 pikë. Gjithsesi, Jurgen Klopi deklaroi se e pranon barazimin 1-1 me Kristël Palasin në “Anfild”. “Java ishte e mbushur me dëmtime dhe duhet të kënaqemi me kaq, – tha ai, – ne donim fitoren, por ndodh edhe kështu. Pozitiv ishte fakti që barazuam rezultatin duke qenë me 10 lojtarë”. Kapiteni në këtë ndeshje, Xhejms Milner, shtoi se “nuk është starti ideal, por ishte i rëndësishëm reagimi pasi mbetëm me 10 lojtarë”. Për përjashtimin e Daruin Nunjezit, Klopi theksoi se “ai u provokua gjatë gjithë kohës, por reagimi nuk ishte i duhuri dhe kartoni i kuq ishte i merituar”.

Sfidanti.al