Klop nuk pranon dot që kundër Liverpulit u dhanë dy penallti!

Jurgen Klop nuk ishte aspak një njeri i lumtur pasi vështroi sesi Liverpuli doli vetëm barazim në fushën e Sandërlendit, pasi vendasit fituan të drejtën e dy penalltive, në ndeshjen e Premier Ligës. Trajneri gjerman kritikoi gjyqtarin Tejlër, duke u shprehur se rezultati mund të kishte qenë krejt tjetër, dhe jo 2-2, që i dha një goditje shpresave të të kuqve për të synuar titullin kampion. “Ndong u hodh në zonë dhe ishte penallti sepse gjyqtari vendosi në atë mënyrë, – tha Klop, – në penalltinë e dytë, ajo erdhi pas një goditjeje dënimi inekzistente. Më herët, ne kishim mundësi të merrnim një goditje dënimi që nuk na u dha, dhe në atë rast topi mund të kishte prekur krahun e ndonjë lojtari të Sandërlendit, pra ne mund të kishim fituar penallti”.

Liverpuli ishte dy herë në avantazh, me golat e Daniel Starrixhit dhe Sadio Manesë, por Xhermen Defo barazoi dy herë me penallti, dhe skuadra e Klopit ka tani 5 pikë më pak në renditjen e kampionatit, se Çelsi që do të luajë nesër në fushën e Totenhemit.

Sfidanti.al